Postuar më: 10 Nëntor 2016

Ministri Bushati në Parlament për çështje si çelja e negociatave të anëtarësimit dhe procesi i Vetting-ut

Të nderuar kryetarë!

Nuk e kuptoj, kjo është e vetmja opozitë në botë që nuk lejon as qeverinë të flasë, minimalisht duhet të dëgjojmë njëri tjetrin dhe derisa foli kryetari i grupit dhe unë besoj që foli në emër të grupit, dhe e falënderoj edhe që më dha të drejtën për të folur pavarësisht se besoj që kjo është tagër e Kryetarit të Kuvendit.

Dua ta nis shumë shkurt nga disa gjëra shumë të rënda që u thanë. U tha për interesin kombëtar, për Shqipërinë si shtet por dhe për shqiptarët si komb. Ish kryeministri është hera e dytë që deklaron në këtë parlament, një gjë shumë të rëndë sipas të cilit Gjykata Kushtetuese Shqiptare që mori një vendim nëntë me zero kundër marrëveshjes antikombëtare që firmosi Sali Berisha dhe Lulzim Basha qenkësh në peroll të një palë të tretë. Aq më e rëndë është kjo kur dihet që Kryeministri i vendit, Presidenti i Republikës po e po, Ministri i Jashtëm, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm, ka një bashkëpunim  të ngushtë me shërbimin inteligjent dhe kryeministri i vendit që paska pasur të gjithë këtë informacion nga të gjitha këto agjenci në cilat ai bashkëpunon nuk e ka denoncuar këtë akt të paprecedent dhe nuk ka ndjekur procedurat ligjore që i duhet që të ndjekë një kryeministër i përgjegjshëm përpara se të vijë këtu në parlament dhe të lëshojë mufka me aktorë të tretë që s’kanë as një lidhje me këtë sallë. Kjo është e para.

E dyta: vendosi disa kushte totalisht të paprincipta, antikombëtare dhe një barazi mes Tiranës dhe Beogradit përsa i përket Prishtinës që nuk ka guxuar t’i bëjë askush që ka qenë në Opozitë gjatë 26 viteve në këtë sallë sepse është më e pakta që të thuhet që është e paprinciptë gjithashtu antikombëtare por vetëm për një gjë jam i qetë, që këtë njeri siç erdhi këtu dhe deklaroi autonominë e Preshevës dhe pavarësinë e saj dhe na kërkoi të gjithëve që të bënim edhe një rezolutë për të dhe po atë ditë në darkë liderët e shqiptarëve në Luginën e Preshevës i kthyen përgjigje. Jam i qetë sepse këtë njeri askush nuk e merr më seriozisht për këto gjëra që thotë. Por do të kisha preferuar që goditjet që i ka poshtë brezit për secilin prej nesh, për çdo kundërshtar brenda dhe jashtë partisë politike që ai përfaqëson këtu të mos i transferonte për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, me identitetin tonë kombëtar.

Tha një të pavërtetë të madhe përsa i përket raportit me Serbinë dhe harroi këtu si padashje të thoshte se kur ishte ai, qeveria e tij i dha mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar kryesisë së radhës së OSBE-së nga ana e Serbisë. Për t’i renditur faktet siç janë, duhet që të thuheshin këtu sepse janë disa procese që kalojnë përtej Shqipërisë dhe Serbisë. Janë disa procese të cilat kalojnë përtej aktorëve në rajon. Ka disa palë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian që investohen për këto procese stabiliteti dhe prosperiteti në këtë kënd të Europës. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes kur marrim përsipër për të nxjerrë mufka nga goja dhe për të akuzuar të tjerët. Foli këtu për ca s’foli, përmendi këtu dy ambasadorë, atë të BE-së, turkun etj. me radhë.

More zotëri, a do ti nxjerrim nga retorika dhe nga diskursi jonë këta partnerët e huaj apo jo? Sepse ju jeni e vetmja opozitë në botë që organi zyrtar i partisë tuaj ka akuzuar shefen e politikës së jashtme të BE-së si njeri që merret me drogë dhe e keni vendosur edhe në faqe të parë të gazetës. Jam turpëruar unë që s’kam asnjë lidhje me organin zyrtar të partisë suaj dhe asnjëri prej jush nuk ka marrë guximin për t’u distancuar nga ai akt i papërgjegjshëm. Sot vini dhe thoni këtu që “nuk ka rekomandim, rekomandimi është i kushtëzuar “. Jeni shumë të ndjeshëm që ky rekomandim nuk erdhi ashtu siç duhej.

Na lexuat edhe që kishit një raport të madh me vete etj. etj. Tani cilës opozitë unë duhet t’i besoj? T’i besoj opozitës së prijësit që rri në seli dhe që do çonte lobistët në Bruksel për të bllokuar vendimin? Apo t’i besoj një përfaqësuesi tuaj që drejton Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian që kërkon që të hapen negociatat, apo t’i besoj këtij këtu që foli para meje që kishte tre javë që thoshte “Kanabisi kusht! Zgjedhjet Kusht! Edi Rama Kusht! Qeveria kusht, Mogherini kusht” se e kanë blerë, Hanin e kanë blerë, Vllahutinin e kanë blerë, Lu-në e kanë blerë dhe tani pa pikë turpi u tha që Shqipëria e vogël në këtë kënd të Europës Adriatike na paskësh influencuar edhe zgjedhjen e demokracisë më solide në botë që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse kryeministri i Shqipërisë paska dhënë një intervistë në mediat ndërkombëtare.

Të nxjerr unë letrat se si i jepje intervistat ti me paratë e taksapaguesve shqiptarë? Që i paguante Misioni i Shqipërisë në Nju Jork sa herë që shkoje zotrote? T’i nxjerr këto letra? Apo transparencën që duhet të bëje këtu për Shqiptarët se çfarë të kanë ndihmuar kompanitë e lobimit për të avancuar Shqipërinë? E harrove zotrote makinerinë që e frymëzoje të Milloshevicit? E harrove qëndrimin që mbajte për Rambujenë? E harrove zotrote kaq shpejt që i fshihje ftesat Genc Pollos e kompani që vinin atëherë nga trupi diplomatik? I harrove të gjitha këto? Fol sot për raportin. Dhe ki kurajon siç godet poshtë brezit siç të thashë, ki kurajon dhe dil këtu dhe thuaj “Nuk jam dakord me vlerësimit e komisionit europian. Nuk jam dakord sepse Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, Shqipëria nuk e meriton statusin, nuk i meriton negociatat. Dil dhe thuaj se do të ishte më e ndershme se sa të vish këtu dhe të thuash që do i hapim pas një viti apo pas 2,3 vjetësh. Shih rekomandimin për Malin e Zi. Shih rekomandimin edhe për Serbinë. Dil këtu edhe krahasoji.

Nëqoftëse ka një dallim në logjikë, strukturë dhe në përqasjen politike nga ana e Komisionit Europian, sepse nëse do të kishte, do të isha unë i pari që do të kërkoja mbështetjen tuaj për të folur me Komisionin Europian dhe me vendet anëtare për këtë gjë. Çfarë do bësh ti dhe familja jote politike që përfaqëson ti të hënën? Çfarë do bësh ti kur të ulemi me miqtë e Shqipërisë sepse Italia dhe Austria po themelojnë grupin e miqve të Shqipërisë në Bashkimin Europian  në nivelin e Ministrave të Jashtëm. Çfarë do bësh ti do dalësh dhe do thuash kanabisi? Do dalësh dhe do thuash droga? Po pse more baltën që hidhni këtu në çdo të enjte do ta transferoni në Bashkimin Europian?

Përmend këtu X-in dhe Ypsilonin, eurodeputetë të nderuar. Po ata janë të nderuar dhe paguhen për atë punë që bëjnë dhe veçse vlerësoj e respektoj. Por ne duhet të merremi vesh në radhë të parë se si e shohim këtë punë, se si do ecim së bashku sepse jeni e vetmja opozitë në botë që mendoni se mund të fitoni me humbje. E kuptoni ku keni arritur? Jeni e vetmja opozitë në botë që zyrtarisht keni kërkuar mos-hapjen e negociatave. Keni bërë një gabim të madh more zotëri. Sepse duke u hapur negociatat, sa më shumë avancon Shqipëria aq më mirë është për shqiptarët e zakonshëm, aq më mirë është për shqiptarët që jetojnë në rajon, aq më shumë mundësi kemi ne për të projektuar një stabilitet politik në rajon, aq më shumë kemi ne mundësi për të punuar me Kosovën, për të punuar me shqiptarët kudo ku ata jetojnë në rajon. Kjo është ndihmesa që ne mund t’i japim. Për çfarë? Për këto akuzat e tua? “ka thënë ky që paguhesh nga X-i e nga Ypsiloni? Këto akuzat këtu që vjen dhe thua që Gjykatën Kushtetuese e kisha në peroll kur mori 9 me 0 ? Këto janë turpe. Unë e kuptoj pse e bën ti këtë gjë. Ti do të jesh star i mediave të fqinjit, dhe shumë mirë e bën. E ke zgjedhur ta bësh këtë gjë dhe as nuk të komentoj.

Do dalësh siç dole herës tjetër, do dalësh prapë e do jesh star i mediave të fqinjit por unë po të them vetëm një gjë. Atë marrëveshje të turpshme që është përgjegjësia jote dhe e Lulzim Bashës, jo e fqinjit, atë akt antikombëtar që ti dhe Lulzim Basha keni bërë, ju do ta vuani derisa ju të jeni pjesë e jetës politike. Ditën që ju mos të jeni pjesë e jetës politike, ne mund të flasim ndryshe, sepse erdhe këtu dhe the që “Nuk mund të negociojmë për Kosovën ne pa akt plotfuqishmërie, the që paske dhe një marrëveshje mes nesh dhe Serbisë  për të bërë rrugën dhe është totalisht e turpshme. Nëqoftëse e ka thënë një ministër tjetër ti ke gjithë instrumentet parlamentarë aq më tepër që të më thërrasësh mua, të thërrasësh Ministrin e Ekonomisë dhe të shfrytëzosh të gjithë instrumentet kushtetues dhe parlamentarë, por jo këtu t’i bashkëngjitësh mufkave që u nxorën nga goja sepse a) nuk ka një marrëveshje të tillë b) ka një pakt konektiviteti ku kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian që ka qenë pjesë e dy proceseve shpresoj që ta ketë ndarë këtë informacion me ju siç unë jam thirrur dy herë në Këshillin Kombëtar të Integrimit ku keni edhe përfaqësues të opozitës, ku është folur për paktin e ndërlidhjes, nuk është vepër mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, është një projekt strategjik i Bashkimit Europian për të shtuar korridoret në këtë kënd të Europës procese të cilat do të kenë kohën e tyre prandaj është e turpshme që të vihet këtu dhe të parashtrohet me këtë gjë, është totalisht e papranueshme. Sepse ne mund t’i “nxjerrim sytë” njëri-tjetrit në kuptimin figurativ. Dhe thoni se “ ne nuk kemi plotfuqishmëri për të negociuar”. Po harrove ti që e nise grupin negociator për marrëveshjen e detit pa asnjë lloj plotfuqishmërie?  Po pse sot meqë fole për nostalgjinë, sot e kishe ditën e nostalgjisë edhe për Bamir Topin? Që i përmende ftesën e tij për Boris Tadiç? Po Gjykata Kushtetuese të nxori lakuriq, të gjitha gafat, shkeljet ligjore në kuptimin substancial dhe procedural dhe tani thua Gjykatën Kushtetuese e kishe në peroll, po atëherë pse e çon Vettingun në Gjykatë Kushtetuese?

Po ti për çfarë e çon Vettingun në Gjykatën Kushtetuese? Për interes të cilës palë të tretë? Partia Socialiste është krenare për atë pakt që ka bërë në opozitë dhe sot dëgjoje mirë dhe vëre vath në vesh ti dhe gjithë fallxhorët këtu. Lexo raportin e Komisionit Europian! Sepse keni 3 vjet që ca s’keni trumbetuar edhe për politikën e jashtme, edhe për rolin tonë dinamik, konstruktiv stabilizues në rajon, lexoje dhe nëqoftëse nuk do, të kam bërë një tabelë krahasimi me të gjitha vendet e tjera sipas konstatimit të Komisionit Europian. Nëse Komisioni Europian është në peroll të një pale të tretë, këtë dil dhe thuaja ti Shqiptarëve sepse unë e kam partnerin më kredibël dhe hajde punojmë së bashku, lëre korin e kukuvajkave këtu që më thonë mua “ A do i hapësh negociatat”? Po, negociatat do t’i hapim dhe do të punojmë me Këshillin.

Hajdeni të hënën në Bruksel, ju ftoj të vini me Ministrat e Jashtëm në Bruksel të diskutojmë tek grupi i miqve të Shqipërisë. Bëni minimalisht atë që bën kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian sepse keni shtatë variante si opozitë dhe një gjë e fundit, kjo që ka ardhur për Shqipërinë është dëftesa më e mirë që ne mund të kemi dhe është viti i tretë rresht. Krahasojeni, cili është standardi për të gjithë si Shqiptarë për fat të keq? Vitin e parë kur vjen një qeveri, siç erdhi Berisha në 2005-ën mori një bonus sepse qeveria Nano ja kishte lënë të gjitha gati përsa i përket marrëveshjes së stabilizim-asocimit. Vetëm një raund diskutimi teknik kishte për açuget, asnjë gjë tjetër. U krye procesi i rotacionit, zgjedhjet politike siç erdhi, qeveria Berisha mori një bonus. Vitin e parë, lexoni raportin e 2006-ës. Raporti i 2006-ës është një raport i cili vlerëson reformat e qeverisë Berisha dhe trendet përgjithësisht të të gjitha qeverive shqiptare në raport me Brukselin këto kanë qenë.

Fito zgjedhjet. Vitin e parë merr një raport pozitiv për shkak të reformave. Vitin e dytë, sensi fillon e bie, reformat nuk bëhen, nuk zbatohen, fillon ndërhyja e qeverisë dhe më pas kalbet e gjithë qeverisja dhe fillon vendi bllokohet. Shihi tre vitet rresht. Unë po flas për shqiptarë që janë kundër Shqipërisë dhe më thotë Zonja Bregu “Po ç’ke që merresh me mua?”. Jam i lumtur që ka qëndrime për hir të së vërtetës sepse nëqoftëse opozita do të ishte në bllok dhe nëqoftëse do të vijohej ky vend në traditën që, kam parë ish ministra që me paratë e taksapaguesve shqiptarë, shkoni dhe bridhni Parlamentin Europian për të kërkuar mos hapjen e negociatave, e keni kot!

Duhet të ulemi së bashku dhe duhet të implementojmë ligjin e Vettingut. A e kuptoni more zotërinj të nderuar që jeni e vetmja opozitë në botë që jeni bërë njësh me sindikatën e korrupsionit në drejtësi? T’ju vijë turp për këtë. A e kuptoni që jeni e vetmja opozitë në botë që keni rimors nga tërmeti që duhet të preki institucionet e shtetit të së drejtës, por jo për t’i marrë kjo qeveri sepse nëse kjo qeveri donte t’i merrte, nuk u përfshinte në këtë proces. Nëse kjo qeveri do t’i merrte, nuk do të deklaronte Johahnes Hahn që ajo që po bën Shqipëria me reformën e drejtësisë mund të shërbejë si shembull për të gjithë rajonin. Se nëqoftëse do ta bënim më forcat tona siç e donit që pas 25 vjetëve na nxorët këtu edhe njëherë tjetër në pah, doktrinën e famshme të sovranitetit, atëherë po ju them që ne mund të përfundonim në të njëjtin qorrsokak që kanë përfunduar fqinjët tanë sepse ne nuk e kemi ende pjekurinë dhe e treguat edhe në këtë rast për të shikuar përpara dhe për të ndërtuar shtetin dhe shoqërinë, modelin tonë përpara. Sepse ju kujtoni se nëqoftëse Komisioni Europian nuk do të vinte sot me rekomandim për të hapur negociatat për Shqipërinë, me mirëkuptimin që Ligji i Vettingut që bllokohet nga ju do të zbatohet, ju kujtoni se ju thjesht do t’i prishnit punë qeverisë. Jo! Nuk do t’i prishnit punë qeverisë por vij nga një aktivitet që quhet Ballkan Barometër ku jepen të gjitha të dhënat, perceptimi i qytetarëve të vendeve të rajonit se si e shohin ata jetesën e tyre, se si e shohin ata procesin e integrimit europian.

Nuk është bërë nga qeveria shqiptare është bërë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, është bërë nga Komisioni Europian nga një kompani gjermane, është një projektim që është bërë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin e dytë radhazi. Se kam dëgjuar këtu shumë kolegë, edhe për procesin e dhimbshëm të njerëzve që lënë Shqipërinë, që lënë vendet e tjera të rajonit. Kam dëgjuar shumë gjëra këtu dhe kam akumuluar dhe reflektuar. E dini cili ishte dallimi ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës me të gjithë vendet e tjera të rajonit? Migrimi ishte një problem rajonal. Korrupsioni ishte një problem rajonal. Papunësia ishte një problem rajonal. E dini cila ishte diferenca kryesore? Diferenca kryesore ishte optimizmi që kanë shqiptarët qofshin ata në Shqipëri, qofshin ata në Kosovë. Prandaj ne nuk duhet t’ia vdesim me këtë sjellje dhe me këto akuza optimizmin Shqiptarëve dhe aspiratën europiane tyren.

Faleminderit.