Postuar më: 09 Maj 2016

9 Maji dhe Europa që duam

66 vjet më parë deklarata e ministrit të jashtëm të Francës Robert Schuman shërbeu si pikënisje për ndërtimin e themeleve të projektit që sot njihet si Bashkimi Europian. 

Në themel të këtij projekti, i pamundur për skeptikët dhe i vështirë edhe për më optimistët, qëndronin jo vetëm bashkëpunimi ekonomik por edhe objektiva të patjetërsueshme si paqja dhe siguria. 

Ndërtimi i një bashkësie të mbështetur tek sundimi i së drejtës, ku krijimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse shoqërohej me mirëqenie materiale, trupëzoi tek BE-ja projektin politik më tundues dhe më të suksesshëm. 

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, BE-ja u përqendrua tek mbrojtja e konsolidimi i paqes, demokracisë, dhe të drejtave të njeriut, tek ndihma bujare për zhvillimin dhe solidaritetin, tek lufta ndaj epidemive dhe aplikimi i standardeve të larta të sigurisë ushqimore, mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimaterike. Janë këto disa nga vlerat dhe parimet që mpiksën vizionin dhe projektin e BE-së, duke e bërë ate në një model tërheqës jo vetëm për vendet e Europës Lindore e Qendrore që përjetonin regjime tiranike, por edhe për kontinente të tjera.

66 vite më pas, Bashkimi Europian në jo pak raste ngjan si njësi menaxhimi krizash. Kriza demokratike që i ka rrënjët tek populizmi dhe teknokracia, tek epërsia e metodës ndërqeveritare përkundrejt asaj komunitare, duke rritur kësisoj jo vetëm hendekun mes perëndimit e lindjes por edhe veriut e jugut të Europës, e ka kthyer në histori të së kaluarës modelin e shtetit social.

Kriza financiare, kriza e pazgjidhur e borxhit të Greqisë, Ukraina, raporti ende i paqartë me Rusinë përsa i përket arkitekturës së sigurisë europiane, vala migratore më e madhe që prej Luftës së Dytë Botërore, e cila po shoqërohet me politikën e frikës e panikut dhe refleksin e mbylljes së opinionit publik përballë një  botë gjithnjë e në ndryshim: të gjitha këto po sfidojnë kapacitetet integruese, dialoguese dhe gjeneruese të Bashkimit Europian. 

Në prag të referendumit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar apo jo nga BE-ja, duket se optimizmi i projektit europian, i mishëruar përmes monedhës së përbashkët euro dhe politikës së zgjerimit të BE-së, po mënjanohet nga tendenca e copëzimit dhe fragmentarizmit. 

Është e vështirë të mohohet se vetë projekti i BE-së, më shumë se sa krizat e natyrave të ndryshme, po vuan nga një krizë e thellë besimi. 

Kjo mungesë besimi në aftësitë e BE-së, ka krijuar terrenin e favorshëm për populizmin politik që po hedh rrënjë në vende me demokraci të konsoliduar ashtu si dhe në vende me demokraci të brishtë. 

Por ndërkohë që Europa po përballet me kërcënimet që vijnë prej terrorizmit dhe ekstremizmit që keqpërdor fenë,  para pak ditësh londinezët zgjodhën për kryetar bashkie një mysliman jo të bardhë. Çka tregon se mungesa e besimit në vlerat e gjithëpërfshirës dhe shoqërisë së hapur është një sfidë e tej kalueshme në rruzullin europian.    

Pavarësisht furtunave që po kalon BE-ja, shembulli i saj ka qenë dhe mbetet frymëzues për shqiptarët dhe rajonin tonë. Historia e suksesit e këtij këndi të Europës, ku tashmë mbizotëron paqja dhe fryma për bashkëpunim, i detyrohet në një masë të madhe mbështetjes së pamunguar të BE-së dhe perspektivës sonë të përbashkët për të qenë pjesë e familjes europiane. E për të përfunduar kësisoj procesin e shtet-konsolidimit demokratik.

Gjetja e mekanizmave që përshpejtojnë integrimin europian, si Procesi i Berlinit, është e nevojshme për kanalizimin e mëtejshëm të ndihmave të BE-së drejt politikave të zhvillimit ekonomik, ndërlidhjes dhe uljes së pabarazive midis vendeve të rajonit tonë dhe atyre të BE-së. 

Sfida jonë mbetet se si ta shndërrojmë paqen e arritur në rajon, në një hapësirë sigurie dhe prosperiteti, ku ja vlen të jetosh. Kjo është një sfidë e përbashkët për BE-në dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse në rastin tonë, më shumë se sa për projekt zgjerimi duhet të flasim për projekt konsolidimi të Europës në rrafshin politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Për këtë kemi nevojë jo vetëm për besim te vetja dhe angazhim të plotë e konkret në procesin e integrimit europian, por edhe te Bashkimi Europian, që nuk duhet të lejojë që hijet e së shkuarës ta errësojnë të ardhmen europiane të kontinentit. 

Botuar në Gazetën Panorama, datë 9 maj 2016.