Postuar më: 09 Nëntor 2015

Op-Ed i botuar në gazetën franceze “Liberation” me titull Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO: një mesazh paqeje

Dokumentet bashkengjitur

Op-Ed  nga Z. Ditmir BUSHATI, Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë Znj. Mirela KUMBARO, Ministre e Kulturës i Republikës së Shqipërisë

Botuar në 09.11.2015, ora 12:43

Në këtë 70 vjetor të OKB-së, kur debati për marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike po arrin kulmin e vet, është me vend të kujtojmë gjithashtu rolin thelbësor që i takon të luajë UNESCO-s.

"Gjithçka është kulturë" nuk rresht së thëni presidenti Fransua Miteran. Ndërkaq, kultura nuk është një koncept abstrakt, por një vegël në shërbim të një ekuilibri, një dialogu të qëndrueshëm,  dhe të projektit të një shoqërie njerëzore në nivel ndërkombëtar.

Veçantia dhe avantazhi kryesor i UNESCO-s qëndrojnë pikërisht në objektivat e saj, si një agjenci e domosdoshme për "ndërtimin e paqes në mendjen e njerëzve".

Brenda tagrit të tij institucional, Këshilli ekzekutiv i UNESCO-s miratoi para pak ditësh me dy të tretat e votave rezolutën e propozuar nga Shqipëria, duke vendosur që t'i rekomandojë Konferencës së Përgjithshme të Organizatës, që po zhvillon sakaq punimet e saj në Paris, anëtarësimin e Kosovës.

Kosova, e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe tashmë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, është një realitet gjeopolitik në Evropën jug-lindore.

E përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, Kosova nuk rresht së afirmuari dhe forcuari aspiratat e saj evropiane. Këtë e dëshmoi së fundmi duke nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Këtij angazhimi të madh ndërkombëtar i përgjigjet, në planin e brendshëm, miratimi i një serë dispozitash kushtetuese, në përputhje e madje shpesh herë edhe më të përparuara se praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së lirive themelore.

Ndaj dhe Shqipëria vendosi të propozojë rezolutën në mbështetje të kandidaturës së Republikës së Kosovës në UNESCO, me plot bindjen se shteti më i ri i Evropës ka një të ardhme evropiane dhe i është përkushtuar forcimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të Paqes.

Anëtarësimi në UNESCO do t'i japë mundësinë shtetit më të ri të Evropës që të forcojë kapacitetet e brendshme në përdorimin e burimeve natyrore, të mbrojë diversitetin kulturor, të nxisë lirinë e mediave dhe të forcojë më tej mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Nën kontrollin dhe me ndihmesën e kësaj organizate, Kosova do të kujdeset në mënyrë të posaçme për trashëgiminë kulturore materiale dhe shpirtërore, përfshirë këtu edhe monumentet tashmë të regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të cilat gjenden në territorin e saj dhe për të cilat mban përgjegjësi përpara gjithë njerëzimit.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nga njëra anë dhe nga ana tjetër mbrojtja e trashëgimisë së rëndësishme historike, kulturore dhe fetare, të cilën shqiptarë e serbë e kanë gëzuar së bashku në shekuj sikundër vazhdojnë ta gëzojnë edhe sot, janë dy objektiva që ndihmojnë njeri-tjetrin.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, jo vetëm që nuk do të cënojë trashëgiminë e rëndësishme për serbët e Kosovës, por do të krijojë përkundrazi kushte dhe garanci shtesë për ta mbrojtur atë.

Shqipëria vendosi të ndërmarrë nismën për të paraqitur rezolutën për anëtarësimin e Kosovës, nisur nga dëshira për të shtendosur marrëdhëniet dhe për të përforcuar bashkëpunimin rajonal, me sinqeritet dhe realizëm.

Gjenerali De Gaulle thoshte se “nuk mund të ketë politikë të suksesshme jashtë realitetit". Shqipëria u propozon dhe i fton të gjitha shtetet anëtare të UNESCO-s të mbështesin dhe të votojnë në favor të Kosovës gjatë këtij sesioni të Konferencës së Përgjithshme që po zhvillohet në Paris.

Shqipëria i bën gjithashtu thirrje Serbisë të përfitojë nga ky rast për të dëshmuar vullnet për bashkëpunim dhe besnikëri ndaj angazhimeve të marra, të cilat i kërkojnë të heqë dorë nga e shkuara e errët dhe të hedhë vështrimin drejt të ardhmes evropiane ku shqiptarët dhe serbët duhet të shkojnë së bashku. Ky është kuptimi i vërtetë i Historisë dhe kjo do të jetë, pa dyshim, fitorja e radhës, edhe pse pa zhurmë, e Kulturës.