Postuar më: 20 Shkurt 2018

Op-ed i Ministrit Bushati botuar në gazetën holandeze "Trouw": "Izolimi i Ballkanit nga BE sjell rreziqe në fushën e sigurisë"

16 shkurt 2018

Javën e kaluar, ditën e martë, më 6 shkurt, Komisioni Europian publikoi një dokument strategjik të shumëpritur me titull: "Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim më të madh të BE-së me Ballkanin Perëndimor". Dokumenti thekson se anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor është në interesin politik, të sigurisë dhe ekonomik të Bashkimit Europian dhe se një perspektivë e besueshme e anëtarësimit mund të jetë një forcë shtytëse për integrim të mëtejshëm dhe transformim të rajonit në një Europë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, si dhe bazuar në vlerat e përbashkëta.

Unë përfaqësoj një vend i cili gjatë 25 viteve të fundit është përpjekur të orientohet drejt integrimit në BE. Kështu, mund të ofroj, le të themi, njohuri nga jashtë për integrimin në BE.

Pra, më lejoni të provoj të ndaj me ju disa mendime:

Ballkani Perëndimor është sot një rajon shumë i ndryshëm nga ai i dy dekadave më parë. Duke pasur parasysh se kjo zonë dikur njihej si famëkeqe për konflikte etnike dhe dhunë të pashembullt, sot ne jemi një rajon që synon në radhë të parë zhvillimin, qeverisjen e mirë dhe sundimin e të drejtës.

Megjithatë, pavarësisht progresit të pamohueshëm të arritur gjatë njëzet viteve të fundit, trashëgimia e ngjarjeve tragjike gjatë viteve 1990 ende përbën një pengesë të madhe politike dhe psikologjike për arritjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

 Çështjet dypalëshe të pazgjidhura variojnë nga çështjet e hapura të kufirit, mosmarrëveshjet ligjore në lidhje me kriminelët e dyshuar të luftës deri tek çështjet e minoriteteve. Në vend të zgjidhjeve pragmatike dhe bashkëpunuese, shumë shpesh këto çështje dhe mosmarrëveshje kanë parë reagime nacionaliste në vendet përkatëse.

Rritja e nacionalizmit apo ringjallja e tij është kërcënimi më i madh i sigurisë me të cilin përballemi sot në Ballkanin Perëndimor, si dhe në pjesën tjetër të Europës. Asnjë rajon ose vend europian nuk është imun ndaj paqëndrueshmërisë. Kur nacionalizmi ose populizmi fillojnë të rriten, vlerat liberale të askujt nuk janë imune.

Në janar të vitit 2017, në një akt provokativ të hapur, një tren i cili duhej të kalonte nga Beogradi në Mitrovicën e Veriut në Kosovë u mbulua me shenja në më shumë se një duzinë gjuhësh që në mënyrë të pakundërshtueshme deklaronin se "Kosova është Serbi".

 Disa muaj më vonë në Maqedoni, një grup vandalësh, të lejuar nga anëtarët e partisë nacionaliste në pushtet, VMRO-DPMNE, sulmuan Parlamentin, duke rrahur dhe kërcënuar jetën e deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin të parandalonin formimin e një qeverie të re. Vetëm pak javë më parë, një politikan i rëndësishëm serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç, u qëllua dhe u vra në mes të ditës në Mitrovicë nga persona të armatosur të paidentifikuar. 

Këto incidente dhe kriza në Maqedoni gjatë dy viteve të fundit janë një mesazh i qartë për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian se lënia e Ballkanit jashtë strukturave euroatlantike mbart rreziqe të mëdha, por gjithashtu tregon qartë se sa shumë ka ende për të bërë në lidhje me pajtimin rajonal.

Për ne, progresi në rrugëtimin tonë europian nuk do të thotë vetëm progres në transformimin dhe ndryshimin tonë të brendshëm, por edhe mbështetje e këtij investimi madhor të BE-së dhe vendeve anëtare të Europës në transformimin tonë të brendshëm.

Modeli liberal europian i paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm përmes bashkëpunimit dhe sundimit të së drejtës është modeli që ne ndjekim, i cili na shërben si pika më e fortë e referimit për reformat e brendshme të vendit, si dhe për axhendën rajonale dhe dypalëshe të bashkëpunimit me fqinjët tanë. Ky është modeli i vetëm ku mund të mbështetemi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të sigurisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të jesh pjesë e Europës së pari dhe mbi të gjitha do të thotë të jesh pjesë e të njëjtës bashkësi vlerash dhe praktikash:

Shqipëria i ka linjëzuar plotësisht qëndrimet e saj të politikës së jashtme me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe të Jashtme të BE-së, duke demonstruar një vendosmëri të qartë në mbështetje dhe ndjekje të objektivave të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë.

Si vend kandidat për në BE, Shqipëria qëndron e vendosur në vizionin e saj për përmirësimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Ne jemi mbështetës të vendosur të bashkëpunimit rajonal në të gjitha aspektet dhe po hulumtojmë çdo mundësi për të rritur ndërveprimin me vendet e tjera në rajonin tonë.

Leva kryesore për NATO-n në rajon - "Politika e saj e Dyerve të Hapura", - mbetet një instrument jetik në promovimin e mëtejshëm të Demokracisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajonin tonë. Shqipëria ka dhënë mbështetjen e saj të palëkundur ndaj Malit të Zi fqinjë, i cili është tani anëtari i 29-të i Aleancës, dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e dy vendeve të tjera aspirante të NATO-s në rajonin tonë, Bosnje dhe Herzegovinën dhe Maqedoninë, si edhe do të mbështesë një marrëdhënie të institucionalizuar me Kosovën.

Vjimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, përfaqëson një proces të rëndësishëm jo vetëm për të dy vendet, por edhe për stabilizimin e mëtejshëm të rajonit.

Në përfundim, një "ri-lançim dinamik" i politikës së zgjerimit të BE-së do të siguronte, së pari, vijimësinë e procesit të zgjerimit në Europën Juglindore. Ripërtëritja e angazhimit të BE-së në Ballkan mund të thyejë spiralin e trashëguar nga autoritarizmi dhe krizat e përshkallëzuara dhe rivendosë besimin në modelin e BE-së, të cilin vendet e kanë zgjedhur si garancia më e mirë për të ardhmen e tyre.

Autori Ditmir Bushati është Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë