Postuar më: 16 Shtator 2015

Op-ed i Ministrit Bushati për JavaNews: Drejt një pakti zhvillimor për rajonin

Samiti i Vjenës ishte pikëtakimi i dytë i rajonit në kuadër të “Procesit të Berlinit”, të iniciuar nga Kancelarja Merkel vitin e kaluar me një qëllim të qartë: përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për sfidat që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
 
Procesi i filluar në Berlin krijoi premisa për një klimë më pozitive bashkëpunimi mes vendeve të rajonit duke përqendruar energjitë, pavarësisht diferencave, tek harta dhe projektet ndërlidhëse në fushat e infrastrukturës, realizimi i të cilave lidh fizikisht në mënyrë më të harmonizuar vendet e rajonit me njëri–tjetrin, me BE-në por edhe vetë vendet anëtare të BE-së.
 
Falë kësaj përqasje dhe dokumenteve të miratuara në Vjenë, lidhur me hartën dhe projektet ndërlidhëse, bashkëpunimin rinor dhe angazhimin për të mos penguar ecurinë e procesit të integrimit europian për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshë, mund të thuhet se angazhimi i përbashkët ka sjellë efekte pozitive, politike dhe praktike.
 
Mirëpo, pavarësisht progresit të shënuar, zotimeve dhe dëshirës “për një perspektivë të qartë europiane”, është fakt se rajoni ynë nuk është kyçur ende në këtë “hapësirë europiane” që përkon edhe më një stad më të avancuar në procesin e shtet-ndërtimit demokratik.
 
Kjo gjendje rrezikon të rëndohet për shkak të paqëndrueshmërive që po pasqyrohen në Ballkanin Perëndimor si pasojë e krizës në Lindje të Europës apo valëve të paparashikueshme të refugjatëve që largohen nga vendet e shenjuara nga lufta, varfëria e despotizmi.
 
Nga ana tjetër, është thelbësor trajtimi i mosmarrëveshjeve dypalëshe që në fazë të hershme të procesit të integrimit europian, duke ndërthurur më së miri mekanizmat e zgjidhjes me instrumenta motivues të BE-së. Ndonëse zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe nuk është në ADN-në e BE-së, ajo vazhdon të zotërojë çelësin e transformimit demokratik të Ballkanit Perëndimor.
 
Vështruar në këtë prizëm, Procesi i Berlinit ka siguruar një pakt ndërlidhshmërie të vendeve të rajonit me njeri-tjetrin dhe me BE-në, realizimi i të cilit do të kërkoj kohë, burime njerëzore dhe financiare. Por, në mëyrë që objektivat e Procesit të Berlinit të jetësohen, lipset gjithashtu një pakt zhvillimi dhe demokratizimi për rajonin.

Thelbi i angazhimit të Shqipërisë në këtë proces qëndron pikërisht në promovimin, përmes veprimesh konkrete, të rolit kyç në rajon, si spirancë stabiliteti, sikundër në përcaktimin e investimeve prioritare që do t’i japin trajtë paketës zhvillimore për Ballkanin Perëndimor.
 
Kështu merr kuptim edhe bashkëpunimi midis të rinjve nga vendet e rajonit, shkollimi sipas nevojave të tregut dhe krijimi i një tregu të përbashkët ekonomik, që nxit punësimin, kohezionin social dhe për pasojë redukton “nomadizmin ekonomik” .
 
Këto janë realisht projekte që do ta kyçin rajonin në “hapësirën europiane”, duke bërë të mundur që përkatësia europiane e Ballkanit Perëndimor të mos jetë vetëm gjeografike.
 
Ndonëse sot në Europë ka shumë zëra kritikë ndaj BE-së, le të mos harrojmë se BE-ja mbetet hapësira më e mirë për të jetuar, shembull i pluralizmit dhe mirëqenies. Tingëllon ironike që promovuesit më të mirë të BE-së, janë pikërisht ata që gjenden jashtë saj. Le të shpresojmë jo për shumë kohë.