Postuar më: 26 Mars 2016

Op-Ed i Ministrit Ditmir Bushati, botuar në gazetën MAPO me temë: "Nga diplomacia e barrikadave drejt bashkëpunimit pa tabu"

Nga diplomacia e barrikadave drejt bashkëpunimit pa tabu

Ditmir Bushati

 

Në fillim të javës që po mbyllet kreva një vizitë pune në Athinë, ku pata mundësi të diskutoj me autoritetet më të larta Greke mbi mbarëvajtjen e marrëdhënies së veçantë midis Shqipërisë dhe Greqisë. 

Të gjithë e dimë se Shqipërinë dhe Greqinë i lidh ngushtë gjeografia, historia dhe kultura. Jemi dy popujt më të vjetër në këtë kënd të Europës. Kolonitë greke në brigjet ilire, kolonitë shqiptare në Greqinë e Mesjetës, roli vendimtar i Arvanitasve gjatë luftës së Greqisë për pavarësi dhe pjesëmarrja e tyre në përpjekjet e shtet-ndërtimit të Greqisë së shekullit XIX, janë vetëm disa tregues të një fqinjësie mijëravjeçare.

Mirëpo marrëdhëniet tona karakterizohen ende nga një mungesë e konsiderueshme besimi. Kjo sigurisht e ka një shpjegim: shekulli XX nuk ka qenë shumë bujar, pasi ka prodhuar një varg ngjarjesh të dhimbshme dhe emocionesh të forta. 

Nga këndvështrimi i Shqipërisë mund të evidentojmë dëbimin tragjik dhe të dhunshëm të çamëve pas Luftës së Dytë Botërore, Ligjin absurd të Luftës, i cili është ende në fuqi bashkë me efektet e tij, retorikën e ashpër gjatë regjimit komunist dhe së fundmi lëvizjet migratore që kanë përcaktuar ndërveprimin tonë shoqëror dhe ekonomik gjatë këtyre 25 viteve. Fundi i Luftës së Ftohtë hapi një kapitull të ri: ndërkohë që Shqipëria po dilte nga izolimi dhe rilidhej me botën e lirë, Greqia gjeti mundësinë për të ndihmuar në projektimin Europian të rajonit.

Kur mora detyrën në shtator të vitit 2013, marrëdhëniet tona dypalëshe ishin thuajse të ngrira, me mungesë kontaktesh të nivelit të lartë. Në dy vjet e gjysmë rigjallëruam kontaktet, zgjidhëm çështjen e “Toponimeve”, riaktivizuam komisionet dypalëshe, listuam në mënyrë të qartë e pa drojë të gjithë problematikën dypalëshe, duke skicuar njëkohësisht rrugëdalje të mundshme, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe frymën europiane.

Sot, nuk ka asnjë tabu midis nesh, vetëm çështje dhe sfida. Për t’i kapërcyer ato, kemi nevojë për mekanizma që rrisin besimin dhe krijojnë potencial pozitiv në marrëdhëniet tona. Kjo kërkon qartësi strategjike, vullnet politik dhe një vizion për të ardhmen e përbashkët europiane. Ky ishte mesazhi kryesor që përcolla gjatë vizitës sime në Athinë.

Greqia është pjesë e katërkëndëshit strategjik të Shqipërisë në rajon së bashku me Italinë, Austrinë dhe Turqinë. Ne kemi një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi në fuqi që nga vitet '90, por kuadri ligjor dypalësh nuk reflekton realitetin e ri. Në veçanti, faktin se që nga viti 2009 Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që nga 2014 një vend kandidat i BE-së.

Për më tepër, kemi çështje që kërkojnë zgjidhje, të cilat mund të kategorizohen si më poshtë:

Në grupin e parë: çështjet e trashëguara nga e kaluara, ku përfshihen: çështja e Ligjit të Luftës; çështja e pronave të shqiptarëve të sekuestruara nga Greqia gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore; çështja e të Drejtave të Njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre.

Në grupin e dytë: çështjet e së tashmes, që kanë një impakt mbi jetën e përditshme të qytetarëve, ku përfshihet puna e komisioneve të përbashkëta dypalëshe, si dhe çështjet konsullore.

Në grupin e tretë: çështjet që kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen. Delimitimi i Shelfit Kontinental dhe i Zonës Ekskluzive Ekonomike është sigurisht një çështje kyçe. Por nuk duhet të harrojmë nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimin për sigurinë energjetike.

Deri më sot Dekreti Mbretëror i 10 nëntorit 1940, i cili vendosi gjendjen e luftës me Shqipërinë nuk është shfuqizuar. Çuditërisht, një dekret i ngjashëm me Italinë është shfuqizuar nga Greqia disa vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. E pra, nuk mund të jemi miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Kjo situatë është absurde, ndaj dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet tona, fillimisht duhet të shfuqizohet ligji i luftës. Është e vështirë të projektojmë një të ardhme të përbashkët, të qëndrueshme, pa një qasje konstruktive ndaj së shkuarës. Lufta e Dytë Botërore mes nesh duhet të marrë fund.

Një vendim i tillë do të gjeneronte energji pozitive dhe do t’i transformonte marrëdhëniet tona në një partneritet të vërtetë strategjik. Ky nuk është veçse sens praktik dhe realizëm politik.

Pasqyra e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi do të ishte e paplotë nëse nuk marrim parasysh situatën në rajon, kontekstin gjeo-ekonomik të Europës, krizën e refugjatëve dhe pasojat e saj.

Europa gjendet në një udhëkryq: nga njëra anë, vlerat e lirisë dhe solidaritetit, dhe nga ana tjetër, shumëfishimi i politikave gjithnjë e më pak liberale që kanë tjetërsuar debatin politik në mbarë kontinentin. Kjo situatë ka ndikuar në uljen e vëmendjes mbi zgjerimin e BE-së duke e reduktuar atë në një çështje të dorës së dytë, ndërkohë që gjithnjë e më shumë flitet për rivendosjen e kufijve dhe fundin e Shengenit.

Gjatë viteve të fundit, Greqia është përballur më krizën ekonomike dhe është prekur rëndë nga kriza e paprecedentë e migrimit. Këto kanë pasur një ndikim në rajonin tonë. Një rimëkëmbje e suksesshme dhe e qëndrueshme është e rëndësishme jo vetëm për vetë Greqinë, por edhe për Shqipërinë.

Edhe pse vendet tona nuk i kanë zgjidhur ende të gjitha mosmarrëveshjet, ato janë të lidhura nga prania e komunitetit të madh shqiptar në Greqi dhe e minoritetit grek në Shqipëri duke krijuar një ndërvarësi sociale dhe ekonomike. Politikat tona dypalëshe duhet të jetë të orientuara drejt kësaj ndërvarësie dhe jo drejt hezitimit dhe tkurrjes.

Tani është e rëndësishme që Greqia të njohë përparimin e bërë nga rajoni përmes një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm të stabilizimit dhe konsolidimit të paqes. Kosova është një pjesë e plotë e këtij realiteti të ri. Me njohjen e Kosovës, Greqia do të përmbushë atë që politika e jashtme greke është përpjekur të arrijë në rajon që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003: një kontribut thelbësor për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin.

Jam i bindur se ekzistojnë të gjitha kushtet për të dalë nga “diplomacia e barrikadave”, ku ka vetëm humbës e fitues, të cilën, për fat të keq, ekspertë, gazetarë madje edhe politikanë me përvojë, e nxisin në të dy anët e kufirit.

Ne realisht kemi interesa të ndërthurura dhe ekonomi të ndërvarura. Kriza e refugjatëve dhe lufta jonë e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ka bërë që Ballkani Perëndimor dhe BE-ja të përjetojnë ndërvarësi të drejtpërdrejtë.

Është shumë e rëndësishme ta përkthejmë këtë ndërvarësi në një "bashkëpunim të përforcuar" të BE-së me Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar vendet e rajonit të përfundojnë me sukses proceset  e shtet-ndërtimit demokratik. Shqipëria dhe Greqia mund të tregojnë rrugën.