Postuar më: 12 Shkurt 2018

Op-ed nga Ministri Ditmir Bushati për "Parliament Magazine": Rruga evropiane e Shqipërisë: Progres më domethënës dhe ambicioz për të arritur më shumë

Politikëbërësit e BE-së nuk duhet të kenë asnjë dyshim në lidhje me angazhimin e Shqipërisë për të hapur bisedimet për anëtarësim, shkruan Ditmir Bushati.

Të martën, më 6 shkurt, Komisioni Evropian publikoi dokumentin e shumëpritur të strategjisë me titull: "Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor". Dokumenti pohon se anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor është në interesat politike, të sigurisë dhe ekonomike të Bashkimit Evropian dhe se perspektiva e besueshme e anëtarësimit mund të jetë një forcë shtytëse për transformim në rajon, duke kontribuar për një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, bazuar në vlera të përbashkëta.

Dokumenti strategjik flet për "Shqipërinë me një përparim domethënës në rrugën evropiane" dhe se "Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për të hapur negociatat e anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura".

Kjo është një mundësi historike; për më shumë se 20 vjet liderët evropianë kanë folur për mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jemi të inkurajuar se ka ardhur tashmë koha për t'i vënë këto fjalë në veprim. Të gjithë kemi përgjegjësinë për ta bërë këtë pjesë të një agjende më të gjerë pro-evropiane në funksion të ndërtimit të një Bashkim Evropian më të fortë, më të bashkuar dhe më demokratik siç përcaktohet nga Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në fjalimin e tij të Gjendjes të Unionit (State of Union) në shtatorin e kaluar.

Nuk duhet ketë asnjë dyshim për angazhimin e Shqipërisë. Ne jemi të vendosur ta kthejmë këtë mundësi në realitet. E kuptojmë se BE pret rezultate konkrete prej nesh dhe se procesi i vlerësimit të këtyre rezultateve do të jetë i vështirë, por i drejtë dhe i bazuar në meritë. Ne e mirëpresim këtë.

Ekziston një konsensus i fortë midis shtetasve shqiptarë për t'u bashkuar me BE dhe ne kemi ndërmarrë vazhdimisht hapa pozitiv drejt harmonizimit me standardet e BE-së. Sondazhet tregojnë se 80 përqind e shqiptarëve e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të Evropës, me vlera të përbashkëta dhe një respekt të përbashkët për rëndësinë e sundimit të ligjit, të të drejtave të qytetarëve dhe qeverisjes së mirë.

Rritja e bashkëpunimit ekonomik është gjithashtu jetike për strategjitë tona të punësimit; BE është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë që zë 2,82 miliardë euro të eksporteve tona. Gjithashtu kemi një kontribut neto pozitiv për të dhënë drejt sigurisë së Evropës, përforcimit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar dhe menaxhimit të flukseve të migracionit. Politika jonë e jashtme është në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

"Nuk duhet të ketë dyshim në lidhje me angazhimin e Shqipërisë. Ne jemi të vendosur ta kthejmë këtë mundësi në realitet"

Qeveria jonë po shënon progres të qëndrueshëm në të gjitha pesë fushat që Brukseli ka përcaktuar si parakushte për hapjen e negociatave të anëtarësimit: reforma administrative, mbrojtja e të drejtave të njeriut, beteja kundër korrupsionit, reforma në sistemin e drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Nga përvoja praktike ne e dimë se zbatimi i reformës nuk është i drejtpërdrejtë, pasi po përballemi me kundërshtimin politik nga elementë recidiviste në shoqërinë tonë, të cilët kanë frikë nga ndryshimet dhe kanë interes të mbajnë "mënyrat e vjetra e të këqija". Por jemi të vendosur t’i çojmë para reformat tona dhe t'i bëjmë ato të pakthyeshme.

Inkurajohemi nga fakti se reforma në të vërtetë mund të sjellë pak dhimbje në disa ambiente, dhe kur kjo ndodh, atëherë ajo po jep efekt dhe ka një ndikim të vërtetë.

Vitin e kaluar, parlamenti shqiptar miratoi ligje për reformimin e sistemit gjyqësor, i cili ndryshoi rrënjësisht Kushtetutën dhe krijoi një procedurë të re verifikimi për gjyqësorin. Kjo reformë ka ndikuar gjithashtu në luftën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vërejmë me krenari se modeli, të cilin ne e kemi projektuar me këshillën dhe ndihmën e BE-së gjatë dy viteve të fundit, tashmë po propozohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, megjithëse në një formë më pak gjithëpërfshirëse.

"Deri në takimin e Këshillit Evropian në qershor, ne jemi besimplotë se do të krijojmë bindjen, do të qartësojmë skeptikët dhe do të përparojmë në negociata zyrtare".

Puna e bërë deri më tani na jep një platformë solide për punën e mëtejme që do të kryhet në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Në këtë drejtim, Shqipëria mund të konsiderohet si një vend lider në rajon, dhe ne besojmë se meritojmë që të na njihen arritjet tona.

Është e rëndësishme të kujtjtojmë se negociatat e anëtarësimit mund të shërbejnë në vetvete si një katalizator i rëndësishëm për të përshpejtuar reformën dhe për ta bërë atë pjesë të shoqërisë kur perspektiva e anëtarësimit të shihet qartë nga qytetarët si diçka më shumë se sa një ëndërr. Ajo bëhet realitet kur vërehet në horizont dhe është e prekshme. Negociatat do të na inkurajojnë të ruajmë ritmin drejt integrimit edhe më të madh evropian dhe për t'i afruar qytetarët tanë më pranë Evropës.

Ne e dimë se disa vende kanë ende pikëpamje skeptike rreth zgjerimit të BE-së. Por, gjithashtu e dimë se nuk ka alternativë tjetër. Ka shumë punë për të bërë gjatë muajve të ardhshëm. Mirëpresim faktin që Bullgaria i ka dhënë prioritet kyç zgjerimit të BE-së gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së. Do të kemi mundësinë të eksplorojmë këtë mundësi në samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në muajin maj në Sofje, Bullgari. "Deri në takimin e Këshillit Evropian në qershor, jemi besimplotë se do të krijojmë bindjen, do të qartësojmë skeptikët dhe do të përparojmë në negociata zyrtare".