Postuar më: 14 Maj 2015

Ministri Bushati merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në datat 13-14 maj në Antalia të Turqisë. 

Në këtë takim, Ministrat e vendeve aleate trajtuan një sërë tematikash të rëndësishme për NATO-n dhe sigurinë Euro-Atlantike, si progresi i bërë në kuadër të misionit të ri të NATO-s në Afganistan “Resolute Support”, situata politike në Ukrainë dhe bashkëpunimi i NATO-s me ketë vend, mënyrat për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në krahun lindor dhe atë jugor të Aleancës, si dhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Varshavë në verën e vitit 2016. 

Në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë (NUC), vendet aleate shprehën solidaritetin me autoritetet e Ukrainës dhe rikonfirmuan mbështetjen e NATO-s për këtë vend të rëndësishëm partner. Objekt i diskutimit ishte situata politike në Ukrainë, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit NATO-Ukrainë. 

Ditën e dytë të punimeve, Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate diskutuan gjerësisht sfidat kryesore me të cilat përballet siguria Euro-Atlantike dhe mënyrat optimale për t’iu përgjigjur atyre. Një vend të veçantë në diskutime zunë sfidat e sigurisë në krahun lindor dhe jugor të Aleancës, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së në këtë kontekst, qasja gjithëpërfshirëse e NATO-s ndaj rreziqeve të sigurisë, si dhe perspektiva e zgjerimit të Aleancës. 

Objekt diskutimesh ishte dhe situata e brishtë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, e sjellë dhe një herë në vëmendjen e Ministrave të Jashtëm të Aleancës si pasojë e zhvillimeve shqetësuese të ditëve të fundit në Maqedoni, vend ky që aspiron anëtarësim në NATO dhe BE. 

Në ndërhyrjen e tij, Ministri Bushati theksoi domosdoshmërinë e një hetimi ndërkombëtar, për të qartësuar në mënyrë të plotë dhe transparente atë që ndodhi fundjavën e shkuar në vendin fqinj. 

Në lidhje me perspektivën e zgjerimit të NATO-s me vendet e rajonit, ai kërkoi një angazhim gjithëpërfshirës të Aleancës kundrejt të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor bazuar në kritere të qarta, për të synuar konsolidimin e rajonit tonë nga pikëpamja e sigurisë. 

Duke nënvizuar faktin që çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë, Ministri Bushati ftoi që gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës Euro-Atlantike të Maqedonisë. 

Ministri Bushati nënvizoi gjithashtu se harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.

Po ashtu, Ministri Bushati shprehu edhe mbështetjen aktive të Shqipërisë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO si dhe për institucionalizimin e marrëdhënieve të Aleancës me Kosovën.