Postuar më: 26 Maj 2015

Ministri Bushati pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zannier

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Lamberto Zannier, i cili ndodhet në vendin tonë për të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Zannier u ndalën tek bashkëpunimi i Shqipërisë me Organizatën dhe rolin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, në mbështetje të reformave në vend, si pjesë e agjendës integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen në Maqedoni, si shfaqje e krizës së demokracisë në vend dhe jo konflikteve ndër-etnike, sikurse ka pasur përpjekje për ta etiketuar atë. Ata u shprehën se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar është thelbësor për zgjidhjen e çështjeve që e mbajnë peng Maqedoninë drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik.

Kryesia serbe e radhës e OSBE-së dhe roli i saj në rajon ishte një tjetër çështje bisedimi mes Ministrit Bushati dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, parë edhe nën dritën e përpjekjeve integruese të vendeve të rajonit dhe bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu dhe tek sfidat me të cilat po përballet OSBE-ja në këtë 40-vjetor të Aktit Final të Helsinkit.