Postuar më: 22 Dhjetor 2015

Shqipëria dhe Izraeli thellojnë bashkëpunimin dypalësh

Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri po zhvillojnë një vizitë në Izrael. Delegacioni i kryesuar nga Kryeministri Rama u prit nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fusha të interesit reciprok, me theks në energji dhe në sektorin e ujit. Në fokus ishte edhe rritja e ndërveprimit në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm, në mbrojtje të vlerave dhe popujve tanë nga ky kërcënim.

Kryeministri Netanyahu çmoi miqësinë midis dy popujve, e cila ka spikatur veçanërisht në periudha kyçe të historisë dhe i shprehu Kryeministrit mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”, - u shpreh Kryeministri Netanyahu.

Vizita në Izrael përkon me 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Takimi mes dy Kryeministrave dhe delegacioneve respektive konkludoi me nënshkrimin e Deklaratës së Miqësisë, ku shprehet angazhimi i mëtejshëm mes dy vendeve për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes reciprok, por sidomos në atë të sigurisë, përfshirë sigurinë energjetike, luftës kundër terrorizmit, krimit kibernetik, si dhe në energji, bujqësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Kjo deklaratë synon të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si edhe i hap rrugën negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të taksimit të dyfishtë. 

Gjithashtu u nënshkrua edhe:

- Marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, ku palët angazhohen të nxisin shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit mbi tema që lidhen me shëndetësinë në fusha me interes të përbashkët; Shkëmbimin e vizitave të specialistëve me qëllim përmirësimin e kualifikimeve dhe konsultimeve; Shkëmbimin e informacionit mbi pajisjet mjekësore, aparaturat mjekësore, produktet farmaceutike dhe zhvillimet teknologjike që lidhen me mjekësinë e shëndetin publik;

- Memorandumi i Bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Yad Vashem, Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, për të bashkëpunuar në promovimin e edukimit dhe përkujtimit të Holokaustit.