MARRËDHËNIET SHQIPËRI – MOLDAVI - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 21/06/2022

MARRËDHËNIET SHQIPËRI – MOLDAVI

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI MOLDAVI

Republika e Moldavisë është e pozicionuar në Evropën Lindore, kufizohet nga Rumania në perëndim dhe Ukraina në veri, në lindje dhe jug (përmes territorit të kontestuar të Transnistrisë). Kryeqyteti i Moldavisë është Kishinau. Sistemi politik në Moldavi është i përzier parlamentar-presidencial, me parlamentin (101përfaqësues) dhe presidentin.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Republikës së Moldavisë janë vendosur më 23 dhjetor 1992. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vlerësohen shume të mira. Shqipëria dhe Republika e Moldavisë e mbulojnë njëra tjetrën nga Ambasadat respektive në Sofje, Bullgari.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Më 16 shkurt 2022 për herë të parë u zhvilluan konsultimet diplomatike midis Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme të RSH dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Republikës së Moldavisë. Këto konsultime shënuan një hap tjetër të bashkëpunimit midis dy vendeve sa i takon çështjeve dypalëshe, bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian dhe bashkëpunimit shumëpalësh.

Shqipëria mbështet aspiratat evropiane të Moldavisë. Në këtë kuadër, Shqipëria ka ofruar eksperiencën e saj për rrugën e integrimit evropian të Moldavisë.

Marrëdhëniet ekonomike me Moldavinë janё nё nivel tё ulёt, me një tendencë të lehtë në rritje. Gjallërimi i  bashkëpunimit ekonomik mbetet përparësi në programin politiko-diplomatik të të dy palëve. Janë nënshkruar disa marrëveshje në fushën e bashkëpunimit ekonomik, megjithatë vlerësohet se ekzistojnë mjaft hapësira për ta thelluar dhe konsoliduar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.