MARRËDHËNIET SHQIPËRI – RUSI - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 20/06/2022

MARRËDHËNIET SHQIPËRI – RUSI

MARRËDHËNIET DYPALËSHE SHQIPËRI RUSI

Rusia është një vend transkontinental që përfshin Evropën Lindore dhe Azinë Veriore. Është vendi më i madh në botë për nga sipërfaqja, që mbulon mbi 17,125,191 kilometra katrorë dhe përfshin një të tetën e masës tokësore të banueshme. Është një shtet federal gjysmë-presidencial dhe përbëhet nga 83 entitete federale me shkallë të ndryshme të vetëqeverisjes.

PËRMBLEDHJE

Bashkëpunimi dypalësh me Rusinë, sidomos këto vitet e fundit, paraqitet tepër i zbehtë. Kontaktet dypalëshe Shqipëri – Rusi janë zhvilluar në bazë konsultimesh diplomatike, mes zyrtarësh të MPJ-ve.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Linjat kryesore ku është zhvilluar dhe vijon bashkëpunimi me Federatën Ruse mbeten fushat me interes reciprok, sfera ekonomike ku palët kanë interes të ndërsjellë, arsimi, kultura, sporti, turizmi.

Turizmi përbën një fushë me interes për bashkëpunim me Rusinë, ku Shqipëria ka shumë për të ofruar.

Qeveria shqiptare ka hequr vizat për turistët rusë prej disa vitesh, një veprim i ndërmarrë nga vendi ynë dhe shpreh vullnetin tonë për të lehtësuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në bazë të VKM-së nr.858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në republikën e Shqipërisë”, Rusia është në listën e shteteve ku shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë për motive turistike në Republikën e Shqipërisë dhe me dokumentin pasaportë, për një periudhë të kufizuar/për periudhën nga data 1 maj deri më 30 shtator.