Ministrja Xhaçka dhe Sir Stuart Peach takim me studentët: MB mbështet Shqipërinë në rrugën e saj euro-atlantike - Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme
Postuar më: 10/01/2022

Ministrja Xhaçka dhe Sir Stuart Peach takim me studentët: MB mbështet Shqipërinë në rrugën e saj euro-atlantike

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, së bashku me të Ngarkuarin Special të kryeministrit Boris Johnson për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, morën pjesë në një veprimtari të përbashkët me studentë e të rinj, në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ministrja Xhaçka theksoi se me dakordësimin për mbajtjen e Këshillit të Përbashkët të Partneritetit gjatë vitit 2022, Mbretëria e Bashkuar ka riafirmuar mbështetjen e saj për agjendën e reformave në Shqipëri.

“Zhvillimi i këtij aktiviteti të sotëm me studentë e diplomatë të rinj të akademisë diplomatike hap siparin e një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen gjatë këtij viti e që do të synojnë të promovojnë një dimension të ri dhe më ambicioz, qoftë në shkëmbimet ekonomike, politike, kulturore, por edhe në dinamikën e re të bashkëpunimit mes nesh në organizatat ndërkombëtare. Dialogu dhe bashkëpunimi rajonal duhet të kenë si synim gjeneratën e ardhshme, pasi kjo nuk është thjesht një çështje politike, por ka të bëjë me dinamikën njerëzore dhe mbi të gjitha me të ardhmen e gjeneratës së re këtu të pranishme sot”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Nga ana tjetër, Sir Stuart rikonfirmoi mbështetjen dhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Shqipërisë si një aleate dhe mike të çmuar.

“Një Ballkan Perëndimor stabil dhe i begatë do të thotë një Evropë e sigurt dhe stabile. Pra, është në interesin tonë të përbashkët të punojmë së bashku për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj euro-atlantike”, u shpreh i Ngarkuari Special të kryeministrit Boris Johnson për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë aktivitet, i cili u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi u diskutuan aspekte të ndryshme të ecurisë 100-vjeçare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, në dritën e dokumenteve të rëndësishme historike të ofruara nga arkivat diplomatike të dy vendeve, si dhe mbi perspektivat aktuale të intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, në planin bilateral, rajonal e shumëpalësh.