Fondi i Ballkanit Perëndimor – (WBF)



Fondi i Ballkanit Perëndimor është një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga qeveritë e Palëve Kontraktuese të BP6: Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi.

Marrëveshja për krijimin e FBP u nënshkrua nga Ministrat e Jashtëm të BP6 në Nëntor 2015.

Fondi filloi zyrtarisht veprimtarinë në 1 Tetor 2017, kjo pas përfundimit të procedurave të ratifikimit nga Parlamentet e Palëve Kontraktuese.

Iniciativa financohet nga 6 anëtarët e marrëveshjës në kuota të njëjta. Drejtori Ekzekutiv i parë, i caktuar nga Konferenca e Ministrave të Jashtëm të FBP është z. Gjergj Murra, diplomat karriere nga Shqipëria. Sekretariati ka seli ne Tiranë dhe përbehet nga ekspertë të ardhur nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Objektivi kryesor i Fondit është të nxisë bashkëpunimin midis pjesëtarëve, te fuqizojë marrëdhëniet dhe kohezionin rajonal, si dhe te nxisë e promovojë integrimin në Bashkimin Evropian.

Kjo do të realizohet nëpërmjet promovimit të vlerave të përbashkëta ndërmjet qytetarëve dhe duke fuqizuar e siguruar një qasje konkrete në nivelin e ndërveprimit midis individëve. Fondi synon të arrijë këto qëllime duke mbështetur projekte rajonale të përbashkëta dhe duke i mundësuar individëve ndarjen e përvojave të përbashkëta.

Procesi i përgatitjes dhe implementimit të projekteve nga aktorët rajonalë, përfaqësuesit e shoqërisë civile, instituteve të edukimit të lartë dhe atyre kërkimore, shoqatave të ndryshme në fushën e kulturës, biznesit, autoriteteve lokale, etj., do të shërbejë në rritjen e kapaciteteve për projekte më të mëdha në të ardhmen.

Si një iniciativë me pronësi rajonale dhe gjithpërfshirëse, FBP i siguron mbështetje financiare projekteve të vogla dhe të mëdha në fushat e mëposhtme:

Edukim dhe Shkëmbim Shkencor ;
Bashkëpunim Kulturor;
Bashkëpunim Rinor dhe Ndërkufitar;
Zhvillim i Qendrueshëm;

Shqipëria, ka mbështetur fuqimisht të gjtha hapat e procesit për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Nëpërmjet strukturave të MEPJ, gjatë Kryesisë të Shqipërisë (2017), janë ndërrmarrë vendime të rëndësishme mbi rregullat e ndryshme dhe procedurat mbi Marrëveshjen me Vendin Pritës, të cilat synojnë krijimin e kuadrit ligjor për mirëfunksionimin e Organizatës.

Deri më tani, FBP ka shpallur dy thirrje për projekt-propozime rajonale, te dyja të pritura mjaft mirë nga aktorët rajonalë.

Mund të gjeni më shumë në: (http://westernbalkansfund.org/ ).

Një video-prezantim i shkurtër i Fondit.: https://www.youtube.com/watch?v=ZqVC1lZUOr0